Këshillin Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZHK) po përmbyll këtë vit me 10 raste të reja të identifikimit, tri raste janë shqiptarë, pesë malazezë dhe dy raste serbë. Pos këtyre janë gjetur e identifikuar edhe 31 pjesë të mbetjeve mortore, të cilat më pas iu kanë dorëzuar familjarëve.
Kryetari i KKAFZHK-së, Ahmet Grajqevci, u shpreh kritikues ndaj Qeverisë së Kosovës, kontributi i të cilëve sipas tij, ka qen vetëm pjesëmarrje në disa raste përkujtimore, asgjë më shumë. Sipas Grajqevcit, edhe pse në këtë vit janë identifikuar 10 raste të reja, ky numër është i vogël në krahasim me 1647 raste që akoma janë të zhdukur.
“Gjatë këtyre viteve edhe politika e Kosovës, është ngatërruar me vetveten dhe nuk ka gjetur mundësi e qasje të bëhet faktor për ta kërkuar të drejtën tonë. Familjarët të vetëm kanë mbledhur faktet, kanë protestuar, kanë kërkuar nga të gjithë dhe kudo, por me qeveritarët tonë vetëm se jemi parë nëpër kujtime, në data sa për një ngushëllim, kjo nuk mjafton lista e atyre që i kërkojmë është e gjatë por edhe lista e atyre që i bëjnë krimet është e gjatë… Viti 2019 po përmbyllët me 10 raste të reja të identifikimit, tri raste janë shqiptarë, pesë raste malazezë dhe dy raste serbë, janë gjetur dhe identifikuar edhe 31 pjesë të mbetjeve mortore dhe iu kanë dorëzuar familjarëve, por ky numër është i vogël përderisa i kërkojmë edhe 1647”, tha Grajqevci.
Kryetari i Komisionit Qendror për Personat e Zhdukur, Prenk Gjetaj iu bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe Qeverisë Kosovare, që çështjen e personave të zhdukur të mos e politizojnë por politika të ndihmojë në zbardhjen e fatit të tyre.
“Bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësi dhe ka mundësi ta shtyj Serbin të tregoj për vendndodhjen e të gjithë atyre që na mungojnë, faktori ndërkombëtar është ai i cili mundët të na ndihmojë. Prandaj vazhdimisht kemi bërë apel dhe tani vazhdojmë të apelojmë, po edhe përfaqësuesit e institucioneve në takimet, apo në agjendat e bisedimeve që mund të ndodhin me palën serbe çështjen e personave të zhdukur ta fusin në agjendë … Çështja e personave të zhdukur të mos politizohet por politika ta ndihmojë ndriçimin e fatit të personave të zhdukur”, tha Gjetaj.
Drejtori i institutit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se qëllimi i shtetit serb ka qen t’i fsheh gjurmët e krimeve të bëra në Kosovë, e për këtë arsye kufomat janë lëvizur tre deri në katër herë, pasi që janë varrosur.
Sipas Gërxhaliut, ka pasur raste kur trupi i pa jetë i të njëjtit person është gjetur në katër vende të ndryshme.
“Ajo që po thuajse nuk ka ndodhur askund në botë, ka ndodhur në Kosovë, ku agresori ka tentuar t’i fshehë gjurmët e krimit dhe ka bërë transportimin e kufomave, pasi që i ka varrosur në Kosovë dhe ata janë lëvizura nga 1,2,3 bile edhe 4 herë të varrosur e të zhvarrosur. Karakteristikë tjetër është se përveç fshehjes së gjurmëve të krimit, shpërndarja e tyre ka qenë në mënyrë të organizuar sa ka qenë kohë e bombardimeve, atëherë janë detyruar ta ndryshojnë destinacionin e kamionëve për të cilët i kanë bartur mbetjet mortore dhe është për tu zhgënjyer me atë se një person është gjetur në 4 lokacione nga vendi ku është vra… Këto janë edhe ato vështirësitë dhe pakënaqësitë që familjarët me të drejtë i bëjnë sepse i qelën plagët por nga aspekti profesional ne jemi të detyruar t’i lajmërojmë sa herë që gjendët ndonjë mbetje mortore”, u shpreh Gërxhaliu.
Anëtarët e këtij këshilli, pas konferencës kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak./kp/Telegrafi/