Ekonomisti Safet Gërxhaliu është kundër idesë për shfrytëzimin e mjeteve të Trustit pa pasur një garanci nga Qeveria që ato do të rimbursohen.
Ai tha se shteti duhet të mendojë forma tjera për mbështetje të qytetarëve, dhe se qëllimi i Trustit është që të kemi një pleqëri të dinjitetshme.
“Nëse është alternativë e fundit mbështetja nga Trusti, atëherë nuk duhet të ndodhë pa një garancë që mjetet do të rimbursohen, sepse nuk guxojmë të na ndodhë pleqëria dhe varfëria. Ky do të ishte një grusht për qytetarin”, deklaroi Gërxhaliu.
Ndërkaq profesori i ekonomisë, Ujkan Bajra, është pro tërheqjes së një shume të caktuar të parave nga Trusti duke thënë që këto para mund të kontriubuojnë në përballimin e krizës ekonomike.
“Në parim domethënë është e mundshme që të bëhet shpërndarja e kësaj pjese tek kontributdhënësit për faktin se ato janë mjete që janë grumbullu nga kontributet e tyre dhe duke marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi tani është shumë e mundshme që ato të kontribuojnë në uljen ose në përballimin e krizës ekonomike, në këtë rast rritjen e çmimeve ose inflacionit që po e shoqëron ekonominë në kohën e fundit”, ka thënë Bajra në Info Magazine të Klan Kosovës.
Sipas Bajrës, nuk ka logjikë që të mos tërhiqet trusti përderisa qytetarët po vuajnë në këtë kohë të krizës ekonomike.
“Ne kemi një dalje për skemat sociale mujore nëse përafërsisht është mbi 43 milionë euro”.
“Nëse shumëzohet në 12 muaj domethënë mbi gjysmë miliardi euro dalin për skema sociale”.
“Në këtë rast, vetëm 10 milionë janë kontributdhënës që paguhen për secilin muaj”.
“Pra, a ka logjikë që të mendohet në këtë aspekt që të mos tërhiqet trusti në anën tjetër të vuajnë qytetarët në këtë rast punëtorët që e kanë një pjesë të kursimeve të veta në trustin personal të Kosovës”.