Qeveria e Kosovës më 17 korrik të këtij viti kishte miratuar listën e masave të pakos së dytë fiskale, asaj 2.0. Mirëpo, kjo pako ende nuk ka hyrë në fuqi, ani pse ish-ministri i Financave Avdulla Hoti kishte thënë se kjo gjë do të ndodhë gjatë muajit shtator.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Gazetën Blic, tha se njëra ndër të arriturat më të mëdha në qeverinë e kaluar ka qenë disiplinat financiare me anë të cilës është avancuar edhe dialogu publiko-privat dhe si rrjedhojë e partneritetit janë përpiluar pakot fiskale 1 dhe 2.“Është e vërtetë që pakoja fiskale e dytë ka mbet vetëm e kaluar në qeveri të Kosovës dhe dua të besoj që për qeverinë e re në veçanti për ministrinë e financave duhet të jetë prioritet i prioriteteve vazhdimi dhe fillimi i implementimit të kësaj pakoje”, tha Gërxhaliu.
Ai ka shtuar se një pako e tillë është shumë e rëndësishme dhe nuk duhet të ketë më shumë vonesa. Sipas tij Kosova nuk e ka lluksin që të fillojë për çdo qeveri gjithçka nga zeroja.
“Që një pako e tillë është kaq e rëndësishme e dëshmon fakti se është në funksion të prodhimit, në funksion të mbështetjes së sektorit privat dhe mbi të gjitha në funksion të përmirësimit të indikatorit kyç për rritje ekonomike, çfarë është bilanci i pagesave, prandaj çdo vonesë nuk mund të ketë arsyetim, është koha kur duhet të krijohet një qëndrueshmëri kontinuitet dhe jo gjithmonë çdo qeveri të fillojë çdo gjë nga zeroja, këtë luks nuk e ka Kosova dhe aspekti ekonomik dhe social që mbretëron në Kosovë”, tha ai.
Sipas Gërxhaliut, me Pakon Fiskale 2.0 është paraparë zgjerimi i listës së lëndëve të para që lirohen nga tatimi doganor. “Heqja e akcizës për mazut, ndryshimi dhe plotësimi i listës së produkteve të cilave u hiqet ose u reduktohet në 8 për qind TVSH-ja. Kjo pako aplikon pushimin tatimor, nxjerr akte legjislative për vendosjen e banderolave në paketimet e miellit dhe për kushtet e caktuara nën të cilat pranohen humbjet nga prishja, avullimi apo humbja e peshës së naftës dhe produkteve të saj dhe krijon kode të reja doganore për disa produkte duke u bazuar në praktikat e BE-së”. /Telegrafi/