Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka thënë se vazhdimi i gërmimeve për gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak të Serbisë do të vazhdojë në pranverë, kur të përmirësohet koha.
Gërxhaliu në një konferencë për media të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur tregoi se gjatë këtij viti në Kizhevakë janë gjetur pesë trupa apo individë, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, edhe në Kozarevë të Novi Pazarit kanë bërë hapjen e kanaleve testuese si dhe kanë kontrolluar minierën e Shtavalit ku dyshohet për një varrezë.
“Në Serbi kemi kontrolluar tri lokacione në mesin e tyre dhe Kizhevaku. Kemi qenë dhe në Kozarevë të Novi Pazarit ku kemi bërë hapjen e kanaleve testuese dhe kontrollimin e vendit deri aty ku jemi bindur që nuk janë lëvizur për 100-200 vitet e fundit, si dhe kemi bërë kontrollin e Shtavalit, gjithashtu një minierë që dyshohet për një varrezë ku do t’i qasemi pas Kizhevakut. Në Kizhevak e dini që janë gjetur pesë trupa apo individë kurse pjesa tjetër është konzervuar me masa gjeo-plastike dhe do t’i qasemi menjëherë kur të kemi përmirësimin e kohës në pranverë”, ka thënë Gërxhaliu.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës po ashtu theksoi se gjatë këtij viti në Kosovë janë gjetur 11 trupa në 9 lokalicione.
“Brenda këtyre tre muajve në Kosovë përfunduam diku rreth 9 loakcione në Kosovë me gjetjen e 11 trupave”, ka thënë Gërxhaliu.
Kryesuesi i komisionit, Ramë Manaj ka thënë se pandemia e ka stagnuar edhe punën e komisionit.
Ai ka bërë të ditur se sivjet në Kosovë janë zhvilluar gërmime në 9 lokacione, kurse një në Serbi, në varrezën e Kizhevakut.
“Kizhevaku është lokacioni i 5 ku janë gjetur mbetje mortore. Në Kosovë këtë vit kemi pasur gërmime në 9 vende të cilat kanë rezultuar me 11 mbetje trupash”, ka thënë Manaj.
Ai ka shtuar se kanë pritur që BE-ja të shtojë presionin më të madh ndaj Serbisë për t’i nxjerr informacionet. /Telegrafi/