Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Shwartz, ka deklaruar se zbardhja e vrasjes së Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi dhe dhënia e dënimit për përgjegjësit mbetet një plagë e hapur për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Gërvalla ka theksuar se bashkë me kryeministrin Albin Kurti kanë nderuar sakrificën e vëllezërve Bytyqi për lirinë e Kosovës.
“Vëllezërit Bytyqi në Nju Jork janë dëshmi e fuqishme dhe kujtesë e përhershme e kontributit të pashembullt të mërgatës sonë për çlirimin e Kosovës dhe e krimeve të pandëshkuara të Serbisë. Bashkë me Kryeministrin Kurti, nderuam sakrificën e jashtëzakonshme të vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, shtetas amerikanë dhe djem të Kosovës që dhanë jetën për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo shtoi se, 25 vite kanë kaluar, por zbardhja e këtij krimi dhe dhënia e dënimit të merituar për përgjegjësit mbetet një plagë e hapur për Kosovën dhe Amerikën./Telegrafi/