Telegrafi

Gërvalla uron Irlandën: Me padurim presim të vazhdojmë dialogun rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka uruar Irlandën për marrjen e Presidencës së Këshillit të Evropës.

Përmes një postimi në Twitter, Gërvalla ka thënë se mezi presin që ta vazhdojnë dialogun për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Lexo po ashtu Gërvalla nuk përmend datë për anëtarësim, por tregon përfitimet nga Këshilli i Evropës

“I urojmë Irlandës një Presidencë të suksesshme në Këshill të Evropës! Mezi presim të vazhdojmë dialogun tonë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar kryediplomatja.

Kosova zyrtarisht ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Vlerësohet se përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtët e Njeriut. Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës. /Telegrafi/