Kryetarja e degës së LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla, ka thënë është ndjerë keq në momentin kur ajo është tërhequr zvarrë nga mbledhja e këshillit të përgjithshëm të LDK-së.
Gërvalla, në emisionin Info Magazinë të Klan Kosovës, ka thënë se përderisa i tërë opinioni ka reaguar lidhur me këtë, LDK ka nxjerrë një deklaratë ku flet me gjuhë të errët.
“Personat që më kanë larguar s’kanë qenë punëtorë sigurimi, por vozitës të ministrit Arban Abrashi dhe të LDK-së. Përgjegjës kryesorë i shoh Isa Mustafën dhe Ismet Beqirin”, ka thënë Gërvalla.
Ajo sot ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj Isa Mustafës, Ismet Beqirit dhe dy shoferëve të qeverisë dhe LDK-së.
E, lidhur me këtë kallëzim penal, Gërvalla ka thënë se beson në organet e drejtësisë.
“Besoj që drejtësia ta thotë fjalën e vet. Unë nuk i zgjidh çështjet e mia me kanun. Këto probleme kam dëshirë t’i zgjedh nëpërmjet rrugës ligjore”, tha Gërvalla.
E pyetur rreth deklaratave të zyrtarëve të LDK-së të cilët deklaruan se Gërvalla ka ardhur vetëm të krijojë një skandal mediatik, ajo u përgjigj se zyrtarët e LDK-së thonë edhe shumë gjëra tjera, se p.sh. “Demarkacioni e Asociacioni nuk e dëmtojnë Kosovën, por kjo nuk i bënë që janë të vërteta”. /Telegrafi/