Telegrafi

Gërvalla takon homologët nga Kroacia, Portugalia dhe Lihtenshtajni, i njofton për tendencat destabilizuese të Serbisë

Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës,Donika Gërvalla ka zhvilluar disa takime.

Në komunikatën e bërë nga MPJD thuhet se Gërvalla ka takuarministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë,Gordan Grlic Radman, Ministrin e Punëve të Jashtme të Portugalisë, João Gomes Cravinho si dhe ministren e Punëve të Jashtme të Lihtenshtajnit, Dominique Hasler.

“Gjatë këtyre takimeve, Ministrja Gërvalla i njoftoi homologët e saj rreth proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, duke përfshirë sigurinë dhe tendencat destabilizuese të Serbisë, të cilat e rrezikojnë hapur sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë”, bëhet e ditur në njoftim.

Më tej, në njoftim thuhet se “bashkëpunimi në fushën e ekonomisë dhe mbështetja për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë ishte gjithashtu pjesë e rëndësishme e diskutimit të frytshëm bilateral me Kroacinë, Portugalinë dhe Lihtenshtajnin”./Telegrafi/