Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla, zhvilloi takim me zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar.
Siç njoftohet nga MPJD, në margjina të takimit të Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës SHBA-Adriatik në Zagreb, Gërvalla e ka informuar Escobar me zhvillimet aktuale në Kosovë, duke u ndalur në progresin e shënuar në fushën e ekonomisë dhe drejtësisë.
Sipas komunikatës, gjatë takimit është biseduar për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për çka Gërvalla ka theksuar se dialogu mund të zhvillohet vetëm mbi bazë të parimeve dhe vlerave të përqafuara nga SHBA dhe BE, dhe me synim njohjen e ndërsjellë mes shteteve fqinje.
Duke folur për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, Gërvalla e ka falënderuar Escobar për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në këtë rrafsh si dhe në të gjitha dimensionet e shtet-ndërtimit./Telegrafi/