Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, sot ka pritur në takim ambasadorin hungarez në Kosovë, Jozsef Bencze, ndërsa i shprehu mirënjohje për mbështetjen nga Hungaria në rrugën euro-atlantike të Kosovës.
Në njoftim thuhet se ministrja Gërvalla pasi që ka falënderuar shtetin hungarez për ndihmën e vazhdueshme, ka rikujtuar se marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë datojnë jo vetëm nga periudha e fundit, por edhe nga zhvillimet historike në periudha të ndryshme kohore.
Në këtë kontekst, Gërvalla shfaqi shpresën se këto marrëdhënie të mira do të vazhdojnë së kultivuari dhe do të thellohen edhe më tej, jo vetëm në sferën e diplomacisë, por edhe në arsim, kulturë e turizëm.
Ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Hungarisë në rrugën euro-atlantike të Kosovës.
Çështje e diskutimit në këtë takim ishte edhe përpjekja e Kosovës për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Të dy palët u pajtuan se nevojitet mobilizim dhe përkrahje globale, në mënyrë që vendet si Kosova të mund të sigurojnë sasi të mjaftueshme vaksinash për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/