Site icon Telegrafi

Gërvalla takon ambasadorët e shteteve të QUINT-it në NATO, bisedojnë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë e Ballkan

Në vazhdën e takimeve të sotme në NATO, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka mbajtur një takim me shtetet aleate në NATO të grupit të QUINT-it, i cili përbëhet nga përfaqësuesja e përhershme në NATO e SHBA-së.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit me Grupin e QUINT-it, i përbërë nga vende që në të njëjtën kohë janë aleatë dhe anëtarë të NATO-s, OECD dhe G7/G20 iu kushtua vëmendje kryesore procesit te përparimit dhe thellimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me selinë e NATO-s dhe integrimeve euroatlantike të Kosovës.

Vëmendje e veçantë gjatë këtij takimi iu kushtua paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në Ballkan.

Ministrja Gërvalla theksoi rolin kyç që Kosova luan në këtë pjesë të Evropës si dhe kontributin e vazhdueshëm të vendit tonë jo vetëm përmes rreshtimit dhe mbështetjes për Ukrainën edhe si pjesë e Grupit te Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, pranimit të refugjatëve nga Afganistani si dhe çështje të tjera me peshë të rëndësishme për paqen dhe sigurinë në rajon dhe përtej, thuhet në komunikatë.

Ministrja Gërvalla theksoi po ashtu se vizita e sotme në NATO është e një rëndësie të dyfishtë, pasi që ndodhemi në prag të shënimit të 25-vjetorit të Intervenimit Humanitar Ushtarak të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës.

“Që nga ajo periudhë Kosova ka bërë hapa gjigant duke përqafuar vlerat euroatlantik, duke u rreshtuar krah aleatëve të saj për të kontribuar edhe më tej si ofruese e sigurisë ne botë dhe duke bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për anëtarësim në NATO dhe mekanizma të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë”, citohet Gërvalla në komunikatë.

Më tej thuhet po ashtu se mbështetja e vendeve të QUINT-it ka qenë thelbësore dhe shumë intensive për punën dhe aktivitetet e Republikës së Kosovës në NATO dhe me NATO-n, për të cilën ministrja Gërvalla shprehu falënderim dhe vlerësim të lartë. /Telegrafi/

Exit mobile version