Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është takuar sot me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau.
Në një postim në Facebook, Gërvalla ka bërë të ditur se ka takuar edhe homologen kanadeze dhe ministra të tjerë të Punëve të Jashtme nga shumë vende të botës.
“Së bashku me Kryeministrin e Kanadasë, z. Justin Trudeau, homologen time kanadeze, znj. Mélanie Joly dhe ministra të tjerë të Punëve të Jashtme nga shumë vende të botës, jemi sot në Montreal të Kanadasë për të diskutuar për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes për Ukrainën”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në përkrahjen e saj për Ukrainën, për popullin e saj, për të gjithë viktimat e pafajshme të kësaj lufte dhe për paqe e stabilitet në rajon dhe Evropë.
Sipas Gërvallës pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në në Konferencën Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes për Ukrainën “dëshmon përkushtimin tonë në mbështetjen e një paqeje të qëndrueshme, solidaritetin e Kosovës me popullin ukrainas, mbështetjen përmes programeve që po implementojmë si dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe stabilitet”. /Telegrafi/