Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka deklaruar se degradimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nisi me ish-presidentin, Fatmir Sejdiu, ndërsa degradimin total sipas saj e pësoi me ardhjen në krye të Isa Mustafës.
Gërvalla vlerëson se Sejdiu e ktheu LDK-në në degë të PDK-së, ndërsa Mustafa ishte ai që në vazhdimësi e luftoi këtë parti me të gjitha mjetet.
“Duke filluar nga viti 2014, së bashku me presidenten Osmani po edhe shumë njerëz të tjerë të cilët kanë qenë figura qindore të LDK-së jemi përpjekur ta ndalim degradimin total të asaj partie. Pra ajo që filloi me presidentin Sejdiu që LDK-ja u kthye në një degë të PDK-së, pastaj degradimi total në kohën kur Isa Mustafa u bë kryetar i LDK-së. Një njëri që jo vetëm që nuk e lidh asgjë më LDK-në, por i cili në vazhdimësi gjatë qëndrimit të tij në Gjermani e ka luftuar LDK-në me të gjitha mjetet”, u shpreh ajo në TËVË 1.
Më tej ajo ka theksuar se përkundër përpjekjeve për ta ndalur këtë degradim, hasja në pengesa e ka bërë të pasuksesshme një tentativë të tillë.
“Për një gjë jam e sigurtë, që LDK –ja për ato tri shkronjat të cilat e simbolizojnë përpjekjen për liri, pavarësi dhe demokraci janë gjëja e fundit të cilën e mendon politikisht Isa Mustafa. Ne jemi përpjekur në vazhdimësi ta ndalim këtë degradim. Kemi hasur në pengesa të jashtëzakonshme. Nuk kemi qenë të suksesshëm”, ka shtuar ajo.