Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së fundit të Rusisë për një seancë të jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila u kërkua të mbahet pikërisht në 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Gërvalla-Schwarz ka etiketuar këtë veprim si një përpjekje për të vendosur “paralele absurde” ndërmjet ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe veprimeve agresive të Rusisë në Ukrainë.
Gjatë një reagimi të saj në media, Ministrja Gërvalla-Schwarz solli në vëmendje masakrën në Krushë të Madhe të Rahovecit, një akt të cilin e quajti krim gjenocidal nga ana e Serbisë.
“Këtë krim gjenocidal Serbia e bëri një ditë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe,” theksoi ajo.
“25 vite pas, Rusia ka thirrur për sot një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke tentuar të ngre një paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e cila ndaloi fushatën gjenocidale të Serbisë, dhe luftës së saj agresive për aneksimin e territorit të Ukrainës.”
Ministrja vlerësoi ndërhyrjen e NATO-s si një moment kritik që kontribuoi në ndalimin e dhunës dhe në përfundimin e konfliktit në Kosovë, duke e konsideruar të ndryshme nga motivet dhe veprimet e Rusisë në territorin ukrainas.