Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit të MPJD, ministrja Gërvalla gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi ka biseduar rreth mbështetjes që Maqedonia e Veriut mund t’i jep Kosovës në proceset e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, NATO dhe BE.
Kryeparlamentari Xhaferi është shprehur i hapur për mbështetje.
“Shprehëm kënaqësinë e ndërsjellë për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet dy vendeve tona që karakterizohen me mbështetje dhe respekt të ndërsjellë, dialog të hapur dhe konstruktiv”, tha ai.
Ndërsa në takim me zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi u bisedua mbi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, me theks të veçantë zbatimin e 11 marrëveshjeve të nënshkruara në seancën e parë të përbashkët qeveritare në Shkup, në shtator të vitit të kaluar.
Në këtë drejtim, u dakordua edhe për formimin e ekipit të përbashkët për ndjekjen e zbatimit të këtyre marrëveshjeve.
Gërvalla dhe Grubi gjithashtu diskutuan edhe për organizimin e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, e cila këtë herë do të mbahet në Kosovë. Nga të dy palët u dënua gjithashtu agresioni rus ndaj Ukrainës dhe u shpreh solidaritet dhe bashkërenditje e plotë me politikat e sigurisë dhe të jashtme të NATO-s dhe BE-së. /Telegrafi/