Site icon Telegrafi

Gërvalla: Ministri kroat më solli një lajm të mirë, do ta bëjmë të ditur sot gjatë ditës

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla pas takimit me homologun e saj kroat, Gordan Grliq Radman, tha se Kroacia është shtet mik i Kosovës.

“Ministrin Radman e falënderova për mbështetjen që Kroacia i ka ofruar dhe vazhdon t’i ofroj Kosovës në të gjitha fazat e saj të shtet-ndërtimit. Biseduam për prioritet e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, mbi të gjitha për integrimet euroatlantike për të përfituar nga përvoja e Kroacisë që është shumë e vlefshme për ne, Jemi të përkushtuar të thellojmë bashkëpunimin mes dy vendeve. Biseduam për liberalizimin e vizave dhe tema tjera”, tha Gërvalla.

Ministrja theksoi se homologu i saj i ka dhënë një lajm shumë të mirë sot, lajm ky i cili sipas ministres do të bëhet i ditur më vonë.

“Në kuadër të menaxhimit të pandemisë biseduam gjatë dhe ministri kroat më dha një lajm të mirë, ai lajm do të komunikohet gjatë ditës sotme. Shprehëm përkushtimin e përbashkët të shtyjmë përpara marrëveshjet bilaterale që lidhen me njohjet e patentë shoferëve, me transferimin e personave të dënuar, mbrojtjen e investimeve, etj”, tha Gërvalla.

Gërvalla tha se ministri kroat i bëri ftesë që të marrë pjesë në Forumin e Dubrovnikut që mbahet në muajin korrik, ftesë të cilën ministrja tha se e pranoi me kënaqësi. /Telegrafi/

Exit mobile version