Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla ka lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës ku po debatohej për politikën e jashtme.
Gërvalla u largua nga seanca në momentin kur në foltoren e Kuvendit ishte duke folur deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
“Zonja ministre unë i kisha disa pyetje dhe mendoj se është më e interes që të jeni këtu. Është për keqardhje, skandaloze që ministrja e jashtme Gërvalla para deputetëve e qytetarëve ikë nga punimet e këtij Kuvendit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca theksoi se ministrja e njoftoi se ka takim me ministrin e Izraelit.
Pas largimit të ministres, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se që tri herë është shtyrë ky debat për faktin që të ishin prezentë kryeministri dhe ministrja.
“Në asnjë rrethanë nuk e mirëkuptojmë largimin e ministres. Ky është një mjerim. Ne si propozues të këtij debati nuk pranojmë të vazhdojmë të qëndrojmë në sallë”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se do ta lëshojnë sallën si grup parlamentar pasi që s’janë të interesuar të flasin vetë me veti.
Pas kësaj kryeparlamentari Konjufca tha se nuk ka klimë që më të vazhdohet me seancë, derisa theksoi se për vazhdimin e këtij debati do të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit. /Telegrafi/