Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, të dielën ka kujtuar përvjetorin e 23-të të çlirimit të Kosovës me një status në rrjetin social Facebook pa përmendur emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Pas kësaj, kanë shpërthyer reagimet nëpër rrjete sociale.
Gërvalla u akuzua nga disa subjekte opozitare si politikane “anti-UÇK”, madje duke ia kërkuar edhe dorëheqjen.
Për të gjitha këto akuza ka reaguar vet ministrja e Punëve të Jashtme.
Ajo e ka quajtur ketë debat të përsëritur dhe tendencioz, derisa ka shpërndarë një përplasje që ka pasur në Këshillin e Sigurimit me përfaqësuesin serb.
“E vërteta gjithmonë e mund gënjeshtrën, sado e zëshme të jetë kjo e fundit”, ka shkruar Gërvalla mbi video.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla në adresimin e saj në Këshillin e Sigurimit kishte thënë se është zhgënjyese që Serbia ende nuk po distancohet nga krimet e kryera në Ballkan në të kaluarën.
Ajo ka thënë se kur përfaqësuesi i Rusisë hedh akuza ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, i kujtohen akuzat që sot Rusia po bënë ndaj ushtarëve të Ukrainës që po e mbrojnë vendin e tyre.
“Ushtarët trima të UÇK-së kanë mbrojtur popullin e tyre. Unë jam krenare me ata ushtarë kanë mbrojtur shtëpitë e tyre. Nuk do të isha fare krenare të përfaqësoja vendet tuaja, natyrisht ju vendosni si do të përfaqësoni vendet tuaja”, kishte thënë Gërvalla./Telegrafi/