Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur për gabimet në rrjetin social Twitter.
Ajo ka thënë se gabimet ndodhin por nuk i ka ndodhur asnjë dëm vendit për ato gafa në rrjete sociale.
“Gabime ne bëjmë çdo ditë. Në MPJD rreziku për gabime është shumë më i madh se Twitter-at. Të them të drejtën, rreziku i gabimeve të cilat publiku nuk i sheh aspak për mua është shumë më shqetësues se sa një Twitter, një flamur, që ka ndodhur në fazën e parë kur kemi marrë detyrën”, tha Gërvalla, për ATV.
Ajo tha se gabime të tilla kanë bërë edhe institucione të tjera, duke përmendur rastin e Departamentit amerikan të Shtetit që tha se ka ngatërruar flamurin e Italisë me atë të Francës.
“Po mirë që janë huq dy flamuj, cili është dëmi që i është shkaktuar këtij vendi nga huqja e dy flamujve… E keni parë Twitterin e Departamentit të Shtetit të SHBA që ngatërron flamurin e Italisë dhe të Francës, çfarë i ndodhi Departamentit të Shtetit që bëri gabimin? E rëndësishme është të mos përsërisim gabime të cilat këtij vendi i kanë kushtuar rëndë. Gabime të cilat kanë të bëjnë me qasjen tonë në skenën ndërkombëtare dhe për këtë unë jam e kënaqur që jemi më të kujdesshëm”, tha Gërvalla.