“Çështja e hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem është punë e kryer”. Kështu ka deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Kam përshëndetur njohjen diplomatike nga Izraeli dhe mendoj që çështja e ambasadës tonë në Izrael është çështje e kryer. Nuk do t’i hymë aventurave diplomatike për të rikthyer në shqyrtim një çështje që ka përfunduar”, tha Gërvalla në emisionin “Kallxo Pernime”.
Ditë më parë presidenti i Turqisë, RecepTayyip Erdogan, në një letër dërguar kryeministrit Albin Kurti ka kërkuar që të shqyrtohet hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Bashkimi Evropian e vlerësoi “për keqardhje” vendimin e Kosovës po ashtu.
Kosova u bë vendi i tretë që hap misionin e saj diplomatik në Jerusalem.
Në fund të vitit 2017, ish presidenti amerikan Donald Trump, shpalli vendimin e qeverisë së tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe në maj të vitit 2018 hapi ambasadën në atë qytet. Guatemala është vendi i dytë që zhvendosi ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.