Organizata Germin ka dorëzuar një ankesë në zyrën e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) rreth vendimit të fundit të Komisionit Zgjedhor të Kosovës (KQZ) për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim Për Periudhën e Aplikimit për Regjistrim të Votuesve Jashtë Kosovës.
Ndërkohë, ditën e hënë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për verifikimin e aplikacioneve për regjistrimin e votuesve që janë jashtë Kosovës.
“Nga një e-mail adresë aplikuesi mund të aplikojë për vetën dhe rrethin e ngushtë familjar që kanë të njëjtin mbiemër. Në formularët e aplikimit për regjistrim aplikuesi duhet të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari. KQZ do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit, kjo është me rendësi të ceket, nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet”, tha dje kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt, ndërsa subjektet politike kanë 10 ditë kohë për të bërë fushatë zgjedhore./Telegrafi/