Site icon Telegrafi

Gërmimet për trupat e shqiptarëve në Kizhevak vazhdojnë javën e ardhshme

Gërmimet për të gjetur kufomat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në varrezën masive që u zbulua rishtas në Kizhevak të Serbisë do të vazhdojnë javën e ardhshme.

Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka thënë se autoritetet atje kanë filluar përgatitjet e nevojshme dhe se janë të ftuar që të jenë të pranishëm derisa bëhen gërmimet.

“Sot, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si udhëheqës i Grupit Punues për Persona të Zhdukur, kemi pranuar një shkresë të autoriteteve të Serbisë, Delegacionit të Serbisë në kuadër Grupit Punues për Persona të Zhdukur, përkitazi me procedimin e mëtutjeshëm të varrezës masive në Kizhevak të Serbisë, sipas së cilës autoritetet kanë filluar me përgatitjet logjistike të nevojshme, me qëllim që gërmimet të vazhdojnë nga java e ardhshme. Përmes të njëjtës shkresë jemi ftuar për të qenë të pranishëm gjatë gërmimeve, pra për të monitoruar procesin në fjalë”, ka thënë Gara.

Por, për kohën e gërmimeve s’është pajtuar ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Serbia ka kërkuar që të shtyhet zhvarrosja e trupave në Rashkë, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin.

“Secili njeri racional në Kosovë, kurrë nuk duhet të lodhet së treguari të vërtetën e së ngrituri zërin për njerëzit që humbëm si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë. Ne nuk jemi lodhur e nuk do të lodhemi kurrë së dëgjuari familjet e viktimave, sepse ata e tregojnë të vërtetën e Kosovës. Mirëpo jemi lodhur nga politikanë të papërgjegjshëm, të cilët tregojnë mosdurim ndaj së vërtetës e ndaj familjeve të viktimave, ndërkaq tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë”, tha ai për klankosova.

Ndërkaq, të enjten ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë kërkesë zyrtare për të realizuar të shtunën, me 21 nëntor, një vizitë në vendet e varrezave masive kur të nisë edhe procesi i zhvarrosjes.

Për më tepër, Ministria e Jashtme ka thënë se nuk mund të ketë as dialog e as marrëveshje përfundimtare me një shtet i cili vazhdon të mos kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë dhe që vazhdon të fshehë gjurmët e gjenocidit.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet ta shohë Rashkën dhe varrezat tjera masive në Serbi dhe të mos heshtë përballë fakteve që dëshmojnë përgjegjësinë e Serbisë para drejtësisë ndërkombëtare për secilin krim, masakër dhe gjenocidin e kryer në Kosovë”.

Deri më tani dihet se potencialisht janë gjetur mbetjet mortore të 15-17 shqiptarëve. Kështu kishte bërë të ditur kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Serbi, Veljko Odalloviq, që shifrën e dha në bazë të të dhënave të kërkimeve të gjertanishme.

Exit mobile version