Në një intervistë për portalin ”Prizma”, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i OBRM-PDUKM-së, Ljubço Georgievski, ka deklaruar se partia që dikur udhëhiqte, është në një gjendje mjaft kritike dhe të rëndë, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Sipas tij, OBRM-PDUKM-ja duhet që të ndryshojë, nëse dëshiron që të mos mbetet në situatën në të cilën gjendet. Ai thekson se ka shumë dallim në mes të ideologjisë së kësaj partie, që e kishte para 25 vitesh dhe që e ka tani, pra vetëm emri i ka mbetur, kurse gjithçka tjetër është ndryshuar, në atë çfarë nënkuptohet me idenë OBRM.
Në lidhje me ”bombat” dhe bashkësinë ndërkombëtare, Georgievski deklaron se kjo e fundit ka mundur që në muajt e parë të krizës, t’ua dërgojë porosinë e qartë disa personave kyç në pushtet, se duhet që të largohen.
Ai konsideron se me bisedimet që u ndërmjetësuan nga ndërkombëtarët, faktikisht u shpëtua OBRM-PDUKM-ja, ndërkaq shton se PSP-ja mund të përgatitë shumë akte akuzuese, por do të përfundojnë me vendime lirimi, pasi që gjyqi është duke bashkëpunuar me pushtetin./Telegrafi/