Është alarmant fakti që as gjyqtarët nuk besojnë në sistemin gjyqësor, thotë kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev.
Ai i ftoi të gjithë gjykatësit, që të raportojnë presionet e ndryshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Unë personalisht kam qenë i pranishëm në këtë tribunë. E dëgjova këtë. Kjo ishte për vitin 2022. Këtu u tha se për disa ndikime nga kryetarët e gjykatave, nga gjykatat më të larta, madje edhe nga anëtarët”.
“I inkurajoj dhe u bëj thirrje gjyqtarëve, të cilët u anketuan, raportuan në mënyrë anonime se kanë pasur ndikim dhe presion nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor, kryetarët e gjykatave, që të raportojnë lirshëm. Si një mesazh për kolegët gjyqtarë – i inkurajoj që një situatë e tillë është alarmante, jam dakord. Dhe nëse e ndjejnë, ka Prokurori, le të raportojnë lirisht”, tha Georgiev.
Ndryshe, shumica e 212 gjyqtarëve të anketuar dhe 83 prokurorëve, të cilët iu përgjigjën pyetësorëve anonimë nga Misioni i OSBE-së, e panë Këshillin Gjyqësor me mosbesim./Telegrafi/