Një prokurore në Georgia pritet që këtë javë të paraqesë para një jurie të madhe, rastin e saj kundër ish presidentit amerikan, Donald Trump.
Masat e sigurisë janë shtuar në Bashkinë e Fultonit në Georgia, para ngritjes së një aktakuze të katërt të mundshme kundër kandidat republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Gjatë kësaj jave, prokurorja Fani Willis pritet të paraqesë argumentet e saj para një jurie të madhe.
Hetimet janë përqendruar në dyshimet se Trump ka ushtruar trysni ndaj zyrtarëve elektoralë të shtetit të Georgias, për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe se është përfshirë në komplot për të shfrytëzuar zgjedhës të rremë.
Ish presidenti e quan hetimin kundër tij një gjueti shtrigash, raporton cnn.
Prova kryesore në këtë rast është një bisedë telefonike e Trumpit më 2 janar të vitit 2021 me Sekretarin e Shtetit të Georgias, Brad Raffensperger. Ish presidenti dëgjohet duke i kërkuar atij të gjejë votat e mjaftueshme për të kapërcyer diferencën në vota me rivalin e tij demokrat Joe Biden.
“Thjesht dua të gjej 11 mijë e 780 vota, që është një më shumë sesa kemi”, shprehet Trump në bisedë telefonike.
Zyrtari i lartë zgjedhor në Georgia, Gabriel Sterling, i cili ndihmoi në rinumërimin e votave në zgjedhjet e vitit 2020 në këtë shtet, pritet të jetë një prej dëshmitarëve në këtë rast. /Telegrafi/