Presidenti George W. Bush ka shpërthyer në lot derisa ka folur për babanë e tij George H.W. Bush, në shërbimin e tij përkujtimor në Uashington.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ai e quajti atë ‘babai më i mirë që një djalë ose një vajzë mund të ketë’ – duke humbur qetësinë e tij dhe duke ulur kokën në mes të lotëve.
“Dhe në pikëllimin tonë, unë vetëm buzëqesh duke e ditur se babai është duke përqafuar Robin dhe duke mbajtur dorën e nënës”, tha Bush.
Ai i referohej Robin Bushit, djalit të dytë të Bushit, i cili vdiq nga leukemia në vitin 1953.
“Do të na mungojë mirësia jote, sinqeriteti dhe shpirti yt do të qëndrojë përgjithmonë me ne”, tha ai në fund të fjalëve të tij.
Më herët në vërejtjet e tij, presidenti i 43-të përshkroi telefonatën e fundit me babain e tij.
“E thirra atë. I thashë baba, të dua që ke qenë një baba i mrekullueshëm. Dhe fjalët e fundit që ai do të thoshte ndonjëherë në tokë ishin: Edhe unë të dua”, tha ai.
Bush, presidenti i parë që nga John Quincy Adams që ndoqi babanë e tij në zyrën më të lartë të vendit, gjithashtu foli për disa nga vlerat që babai i tij shfaqte në detyrë.
“Ai më tregoi se çfarë do të thotë të jesh president i cili shërben me integritet, udhëheq me guxim dhe vepron me dashuri në zemrën e tij për qytetarët e vendit tonë”, tha Bush.
Pasi u martua me të dashurën e tij, George H.W. Bush qëndroi me Barbara Bush për 73 vjet.
“Ai qeshi dhe qau me të. Ai i ishte kushtuar tërësisht asaj”, tha ai. /Telegrafi/