Telegrafi

George Floyd vite më parë kishte filmuar veten për t’i dërguar një mesazh të rinjve: Ju dua, Zoti ju do – lini armët

Para se videoja e momenteve të fundit të George Floyd, të publikoheshin dhe të shkaktonin protesta të dhunshme në mbarë SHBA-të por edhe në vendet e tjera të botës, ai vite më parë ia kishte drejtuar vetes objektivin e kamerës duke dërguar një mesazh të rëndësishëm për të rinjtë, shkruan Independent.

“Dëshiroj që shumë shpejtë t’ju kërkoj falje të gjithëve”, dëgjohet duke thënë Floyd në një video të cilën ua dedikon të rinjve nga lagjja ku ishte rritur dhe jetuar, transmeton Telegrafi.

“Kam edhe unë të metat e mia, nuk është se gjithmonë kam marrë vendime të duhura, nuk është se dalloj nga të tjerët. Por këto të shtëna, që po vijnë nga lagje të ndryshme. Ju dua dhe Zoti ju do. Ju lutem hidhni në tokë revolet”, shtoi në video tashmë i ndjeri Floyd.

Afro-amerikani që ndërroi jetë derisa policët po tentonin ta arrestonin dhe njëri prej tyre ia mbajti gjurin në qafë për afro 9 minuta, dikur ishte yll i sportit që ëndërronte karrierë profesionale, dhe që vazhdimisht kishte ndërruar punën.

Floyd kishte lindur në Karolinën e Veriut, por e ëma e tij u shpërngul në qytetin e Houston të Teskasit kur ai ishte vetëm dyvjeçar, duke shpresuar se atje do të arrijë të gjej punë. /Telegrafi/