Site icon Telegrafi

George dhe Amal Clooney kërkojnë deri në 230 mijë euro nga të ftuarit, për një mbledhje fondesh luksoze në Liqenin Como

George Clooney dhe gruaja e tij, Amal, do të organizojnë një ngjarje ekskluzive për mbledhje fondesh këtë gusht në Liqenin Como, Itali.

Çifti do të presë 16 të ftuar në hotelin luksoz Passalacqua, me tarifa që fillojnë nga 173 mijë dollarë (166 mijë euro) për dhomë, plus një donacion minimal prej 60 mijë dollarësh (57 mijë euro) për person për Fondacionin Clooney për Drejtësi.

Synimi i ngjarjes është të mbledhë mbi 1 milion dollarë (rreth 961,000 euro) për projektet filantropike të fondacionit, shkruan DailyMail.

Pjesëmarrësit do të shijojnë një përvojë pesëditore me darka private, ekskursione me varkë dhe një festë ekskluzive kopshti me çiftin Clooney.

Megjithatë, ngjarja nuk do të mbahet në Villa Oleandra, rezidenca e Clooney-t në Como, por në ambiente të tjera historike si Villa del Balbianello, ku janë xhiruar skena të filmave Star Wars dhe Casino Royale.

Organizuar nga Satopia Group, ky event synon të bashkojë filantropë të interesuar për drejtësinë globale dhe të ofrojë një përvojë të veçantë në një nga destinacionet më të bukura në botë.

Clooney dhe Amal, të martuar që nga viti 2014, janë të njohur për angazhimin e tyre në kauza humanitare dhe drejtësi ndërkombëtare. /Telegrafi/

Exit mobile version