George Clooney dhe gruaja e tij Amal do të organizojnë një darkë luksoze bamirësie në liqenin e famshëm të Italisë Como në gusht. Aktori dhe avokati britaniko-libanez do të organizojnë një ngjarje ekskluzive pesë-ditore të organizuar nga fondacioni i tyre Clooney for Justice.
Kjo ngjarje speciale do të mbledhë vetëm 16 të ftuar, dhe çmimet e pjesëmarrjes fillojnë nga 173,000 dollarë (rreth 158 mijë euro) për dhomë, me një donacion minimal të detyrueshëm prej 60,000 dollarë (rreth 55,000 euro), raporton Variety.
Mysafirët do të shijojnë akomodimin luksoz në Hotel Passalacqua, një vilë historike e shekullit të 18-të me pamje nga liqeni, i cili dikur i përkiste Papa Inocentit XI.
Ngjarja organizohet nga Satopia Group, dhe sipas CEO Emma Ponsonby, fokusi do të jetë në bashkimin e filantropëve që janë të interesuar të eksplorojnë bukurinë e liqenit Como. Një donacion minimal do të mundësojë një “ndikim të menjëhershëm” për secilin pjesëmarrës dhe qëllimi është të mblidhen më shumë se 1 milion dollarë për Fondacionin Clooney.
Një nga momentet më të pritura të këtij eventi sigurisht që do të jetë festa ekskluzive e kopshtit që do të zhvillohet në ditën e tretë. Edhe pse festa pritej të mbahej në vilën e George’s Oleandra, të cilën ai e ka prej 23 vitesh dhe njihet për 25 dhomat dhe fushën e tenisit, kjo nuk do të ndodhë.
Gjithashtu, gjatë ngjarjes pesë-ditore, të ftuarit do të shijojnë darka private me ekipin e Fondacionit Clooney, përvoja të nivelit të lartë kulinar, një udhëtim me varkë dhe mundësinë për bashkëpunim afatgjatë me fondacionin.
Një nga darkat do të mbahet në Villa del Balbianello historike, e famshme për xhirimet e skenave nga filmat Star Wars: Episode II – Attack of the Clones” dhe “Casino Royale”. Të ftuarit do të kenë gjithashtu mundësinë të shijojnë një mbrëmje magjike në Teatro Sociale di Como, me muzikë live dhe performanca artistike dhe thjesht duke festuar artin.
Për të gjithë të interesuarit ekziston ende mundësia e regjistrimit për pjesëmarrje.
Fondacioni Clooney for Justice, i themeluar në vitin 2016, operon në 40 vende dhe deri në vitin 2022 kishte mbledhur gati 10 milionë dollarë donacione. Sipas të dhënave, për projekte të ndryshme janë shpenzuar gati katër milionë dollarë.
Përveç vilës së tyre luksoze në liqenin Como, familja Clooney bleu gjithashtu një pronë në Francën jugore në vitin 2021, e cila shtrihet në 425 hektarë dhe përfshin një vresht, një fushë tenisi dhe kënde lojërash të shumta. Prona ndodhet në rajonin Provence-Alpes-Côte d’Azur, midis Marsejës dhe Kanës. /Telegrafi/