Site icon Telegrafi

Genta Ismajli tregon se si në një koncert të saj, kishte aq shumë njerëz sa u detyrua ndërhyrja e KFOR-it dhe Policisë: Jam larguar nëpër mal nga fansat

Genta Ismajli (Foto: Biseda Podcast/YouTube)

Genta Ismajli, këngëtarja e njohur shqiptare, ka rrëfyer një eksperiencë shumë interesante gjatë një bisede për podcastin “Biseda” të Heidi Lushtakut.

Artistja nga Gjilani ka folur për sfidat dhe momentet e paharrueshme që ka përjetuar gjatë karrierës së saj, përfshirë një ngjarje të veçantë që ndodhi gjatë një koncerti të saj.

Sipas Gentës, dyndja e madhe e njerëzve në koncertin e saj ishte aq e frikshme, sa që u kërkua ndërhyrja e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës për të ndihmuar të largohej nga turma.

“Të betohem Zot, se s’dua t’i bëj fëmijët ti bëj be. Nëse e shihni videot e Michael Jackson çfarë i kanë bërë fansat, unë i kam pasur njëjtë eksperiencat e mia. Por atëherë s’ka pas kamera, s’më ka incizuar askush”, tha Genta. Ajo tregon se pas kësaj dyndjeje, KFOR-i dhe policia ndërhynë për të thyer muret dhe për të mundësuar largimin e saj nga turma.

Genta përmendi gjithashtu një ngjarje kur fansat, përfshirë edhe fëmijët e vegjël, janë lënduar nga telasat e sigurisë dhe janë dërguar në spital. Këngëtarja ka thënë se ka pasur shumë raste të tilla, ku fansat kanë rrezikuar sigurinë e tyre për të qenë afër saj. “Ka hyrë KFOR-i, kanë ardhur policia edhe i kanë thyer muret për të më ndjekur mua, mua më është dashur të ikë nga malet prej fansave”, kujton Genta.

Ajo gjithashtu theksoi se gjatë karrierës së saj ka pasur sukses pa mbështetje nga mediat sociale, duke e krahasuar atë me fenomenin e Michael Jackson dhe trysninë që ai ka përjetuar nga fansat. “Çfarë dua të them është se kam pasur karrierë pa social media”, u shpreh Genta, duke reflektuar mbi periudhën kur kishte mundësi të shquhej vetëm përmes muzikës dhe punës së saj, pa pasur ndikimin që kanë platformat digjitale sot. /Telegrafi/

Exit mobile version