Telegrafi

Gent Cakaj jep dorëheqje nga pozita e ministrit të Punëve të Jashtme

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Cakaj me anë të një shkrimi në Facebook, ka treguar se tashmë dorëheqjen ia ka paraqitur kryeministrit Edi Rama.

“Dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë”, ka njoftuar Cakaj, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, lajmin e ka konfirmuar edhe vetë Rama me anë të një shkrimi në Twitter, duke e falënderuar Cakajn për punën e tij.

“Dua ta falënderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit”, ka njoftuar Rama. /Telegrafi/