Telegrafi

“Gënjeu” kundër presidentit Rubiales, Federata e Spanjës është gati të ndërmarrë veprime ligjore kundër futbollistes Hermoso

Federata e Futbollit të Spanjës (RFEF) ka kërcënuar futbollisten Jenni Hermoso me veprime ligjore pasi e përshkruan deklaratën e saj për Luis Rubiales si ‘gënjeshtër’.

Spanja mundi Anglinë në finalen e Kupës së Botës për femra fundjavën e kaluar, por arritja e tyre është lënë në hije nga veprimet e presidentit të RFEF.

Presidenti i RFEF, Luis Rubiales, u kap në kamera duke puthur në buzë dy lojtaret spanjolle – Hermoso dhe Aitana Bonmati, teksa po merrnin medaljet e fituesve.

Pati thirrje nga lojtarë, gazetarë dhe politikanë spanjollë që Rubiales të jepte dorëheqje, por në mbrojtje të tij, RFEF publikoi një deklaratë ku pretendonte se Hermoso nuk kishte asnjë problem me puthjen.

Lexo po ashtu Presidenti i federatës spanjolle të futbollit refuzoi të japë dorëheqje pas skandalit në finalen e Kupës së Botës

Të premten, RFEF mbajti një konferencë për shtyp ku pritej që Rubiales të largohej nga posti i tij. Por, në vend të kësaj, 46-vjeçari këmbënguli se nuk do të jepte dorëheqje.

Rubiales pretendoi se ai ishte viktimë e një ‘gjuetie shtrigash’, se po ‘vritej socialisht’ dhe se ishte në fakt Hermoso ajo që kishte iniciuar puthjen, jo ai.

Më vonë të premten në mbrëmje, Hermoso publikoi një deklaratë në të cilën ajo hodhi poshtë pretendimet e presidentit, duke thënë se ajo nuk pranoi puthjen dhe se asaj i ishte bërë presion nga RFEF për të publikuar një deklaratë që justifikonte veprimet e Rubiales.

Lexo po ashtu Jenni Hermoso denoncon Luis Rubiales ndërsa 81 futbolliste nënshkruajnë dorëheqjen nga Spanja

FUTPRO – Shoqata e futbollistëve profesionistë të Spanjës – publikoi një deklaratë në emër të 81 futbollisteve duke thënë se nuk do të përfaqësojnë Spanjën derisa Rubiales të largohet nga posti.

Si përgjigje, RFEF publikoi një mbrojtje të jashtëzakonshme të Rubiales që përfshin një përmbledhje katërpjesëshe të momentit kur presidenti i federatës puthi Hermoson dhe kërcënon me veprime ligjore.

Duke përdorur një seri prej katër imazhesh të shoqëruara me analiza, RFEF pretendon se kanë vërtetuar se Rubiales nuk e ka iniciuar puthjen.

Lexo po ashtu FIFA me dorë të hekurt, e suspendon kryetarin e federatës së futbollit të Spanjës

“Provat janë përfundimtare. Zoti President nuk ka gënjyer. RFEF dhe Presidenti, duke pasur parasysh seriozitetin e përmbajtjes së njoftimit për shtyp nga sindikata Futpro, do të iniciojnë veprimet përkatëse ligjore”, thuhet në deklaratë.

RFEF tha gjithashtu se lojtarët kanë një “detyrim” të luajnë për ekipin kombëtar nëse zgjidhen.

Së bashku me koleget e tij femra, sulmuesi i Real Betisit, Borja Iglesias, është bërë i padisponueshëm për detyrën ndërkombëtare deri në largimin e Rubiales. /Telegrafi/