Site icon Telegrafi

Gënjeshtra e madhe e Boris Johnsonit

Tre vjet pas referendumit të Brexit-it, Mbretëria e Bashkuar nuk po gjen dot ende një mënyrë se si të largohet nga Bashkimi Evropian dhe asaj që do të vijë më pas, jo shumë ndryshe nga ç‘ishte situata kur u njoftua rezultati. Dh,e tani po mbahen zgjedhjet e lidershipit të Partisë Konservative për të zëvendësuar kryeministren në largim, Theresa May. Për ata që na shikojnë nga jashtë, debati mes kandidatëve konfirmon se ata nuk kanë mësuar asgjë nga dy vitet e fundit negociata me BE-në.

Fatkeqësisht, kjo nuk është aspak e habitshme, duke pasur parasysh se kandidati kryesor është Boris Johnson, arkitekti më i shquar i fushatës pro-largimit nga BE-ja dhe një njeri që vazhdon të shpërfillë, ekzagjerojë dhe dezinformojë publikun rreth Brexit-it. Në vitin 2016, Johnson dhe shokët e tij pro-Brexit mashtruan një shumicë votuesish në Mbretërinë e Bashkuar, duke i bërë ata të mendonin se largimi nga BE-ja do t’i garantonte Shërbimit Kombëtar Shëndetësor britanik me një shtesë prej 350 milionë paundësh (445 milionë dollarë) në javë. Ai gjithashtu ngriti frikën se anëtarësimi i Britanisë në BE do të çonte disi në emigracion masiv nga Turqia (që ndodh të jetë atdheu i gjyshit të tij nga babai, Ali Kemal).

Edhe pse ka gjasa që Johnson së shpejti ta gjejë veten në një pozicion ku ai do të duhet të mbajë premtimet e tij, ai vazhdon të përhapë të pavërteta. Kryesorja ndër to është miti që Britania mund të grisë marrëveshjen e tërheqjes që May negocioi me BE-në, t’i përmbahet angazhimeve financiare ndaj bllokut, dhe në të njëjtën kohë të fillojë negociatat për marrëveshje tregtie të lirë. Megjithatë, për ndjekësit e Johnsonit, ai është më shumë profet sesa politikan: vetëm ai mund të ofrojë një “Brexit të vërtetë” mitik që do të garantojë prosperitetin e premtuar gjatë fushatës së referendumit.

Ashtu siç ndodh shpesh me populistët, realiteti nuk përputhet me kombinimin e premtimeve të rreme dhe pseudo-patriotizmin e Johnsonit. Ai dhe kolegët e tij pro-Brexit flasin për një “Britani Globale” që do të tregtojë lirisht me pjesën tjetër të botës, edhe kur ata ta zhvendosin vendin e tyre drejt një rruge të mbushur me lidhje tregtare të çrrënjosura dhe pengesa të reja të rëndësishme për tregtinë.

Fuqia reale tregtare globale, natyrisht, është BE-ja, e cila kohët e fundit ka përfunduar marrëveshje tregtare me Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kanadanë. Si një vend anëtar i BE-së, Britania e Madhe përfiton automatikisht nga 40 marrëveshjet tregtare që blloku ka në me më shumë se 70 vende. Nëse Britania e Madhe do të zgjedhë një Brexit “të vështirë” dhe do të largohet nga blloku pa një marrëveshje, siç ka treguar Johnson, ajo do të humbasë menjëherë qasjen preferenciale në tregje, që përbëjnë rreth 11 për qind të tregtisë së saj totale. (Edhe pse qeveria e May ka nënshkruar vazhdimin e kontratave me disa vendeve, ato nuk mbulojnë pothuajse aq shumë tregti sa marrëveshja ekzistuese e Mbretërisë së Bashkuar brenda BE-së.)

Për më tepër, BE-ja po përfundon negociatat për një marrëveshje të re të tregtisë së lirë me bllokun Mercosur – Argjentinën, Brazilin, Paraguain dhe Uruguain – si pjesë e një Marrëveshjeje më të gjerë të Asocimit midis dy rajoneve. Kjo do të çimentojë pozitën e BE-së si liderë globale e tregtisë së hapur. Edhe pse kompanitë evropiane tashmë eksportojnë sasi të mëdha në Mercosur – 42 miliardë euro në mallra në vitin 2016; 22 miliardë euro në shërbime në vitin 2015 – barrierat tarifore janë aktualisht të larta. Eksportuesit europianë përballen me tatime prej 35% në makina, 20-35 për qind në makineri dhe komponentë të ngjashëm dhe 14 për qind në farmaceutikë.

Marrëveshjes së propozuar tregtare nuk i mungojnë kundërshtarët, duke përfshirë disa organizata joqeveritare dhe shtetet anëtare të BE-së me industri të konsiderueshme të mishit të viçit. Negociatorët e BE-së do të duhet të arrijnë një ekuilibër të kujdesshëm për të mbrojtur të drejtat e të gjithë evropianëve në të gjithë sektorët ekonomikë. Ata gjithashtu do të duhet të adresojnë përkeqësimin e kushteve të të drejtave të njeriut dhe mjedisit në Brazil dhe të nxisin për dispozita për të inkurajuar kompanitë që të veprojnë me përgjegjësi, të ruajnë standardet e sigurisë ushqimore dhe të veprojnë kundër imitimeve të produkteve ushqimore dhe pijeve evropiane.

Një marrëveshje tregtare BE-Mercosur – e cila do të ishte një nga marrëveshjet më të mëdha tregtare në botë, që përfshin 750 milionë njerëz – është në avantazh për të dyja palët, duke krijuar mundësi për rritje ekonomike dhe vende pune në të dy anët. Në një kohë kur SHBA-ja dhe Kina kanë ngecur në një luftë tregtare dhe teknologjie pa asnjë fund në horizont, vendet e BE-së dhe Mercosur kanë një shans për të udhëhequr botën në një drejtim më premtues.

Në të vërtetë, ekziston një mundësi e fortë strategjike për finalizimin e marrëveshjes. Siç tha së fundmi Martin Sandbu i Financial Times: “BE-ja nuk ka shumë divizione ushtarake, por ka diçka tjetër pothuajse po aq fantastike. Ka autoritet mbi tregun më të madh në botë.” BE-ja duhet të përdorë fuqinë e saj kolektive blerëse për të ngritur standarde në nivel global, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e mjedisit.

Një përfundim i suksesshëm i bisedimeve BE-Mercosur do të dërgonte një mesazh për pjesën tjetër të botës për vlerën dhe rëndësinë e tregtisë së hapur. Me Johnson që ka gjasa të marrë pushtetin në fund të korrikut, Europa do të ketë ofruar më shumë prova se Brexit jo vetëm që është i panevojshëm, por edhe i dëmshëm për interesat ekonomike të Britanisë. Atëherë përkrahësit e guximshëm dhe aventurierë të Brexit mund të duhet më në fund të shpjegojnë se për çfarë po ankohen ende. /Project Syndicate/BIRN/

Exit mobile version