ContourGlobal dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë informuar mbi përzgjedhjen e konglomeratit amerikan General Electric (GE) për inxhinieringun, prokurimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen afatgjate të Termocentralit “Kosova e Re”.
Vendimi erdhi pas shqyrtimit rigoroz të ofertave të pranuara nga udhëheqës botëror të ndërtimit të termocentraleve efiqiente dhe moderne, me ndikim minimal në mjedis dhe komunitet.
Në vitin 2018, General Electric u vendos në mesin e Fortune 500 si ndërmarrja e 18-të më e madhe në SHBA nga të ardhurat bruto.
General Electric është e vlerësuar në treg me vlerë prej mbi 150 miliard dollarësh.
Ndryshe, kompania shquhet si ndër ndërmarrjet më të mëdha dhe më të vjetra energjetike në botë. Madje, ajo vlerësohet si kompania që ndriçoi gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sot, projektet energjetike të saj gjenerojnë 1/3 e gjithë energjisë elektrike në botë. Rreth 90% të pajisjeve të transmetimit të energjisë elektrike janë të teknologjisë së General Electric.
Thomas Edison, ndër zbuluesit më të shquar Amerikan, ka themeluar General Electric më 1892. Që atëherë, kompania ka vazhduar rrugëtimin dhe në vitin 2012 është shpallur kompania e katërt më e madhe në botë nga Forbës Global 2000.
Sot, General Electric numëron diku rreth 300,000 persona të punësuar.
Në Evropë, përveç projektit të ndërtimit dhe të mirëmbajtjes afatgjate të termocentralit Kosova e Re, General Electric është kontraktuar për të udhëhequr kontratën madhore 1000 megavatëshe për ndërtimin e termocentralit nga qymyri Ostroleka C në Poloni. /Telegrafi/