Po shijon sukses të jashtëzakonshëm me këngën ‘Shake it’, të cilën nuk ka shumë ditë që e solli në publik me Milotin dhe Genta Ismajlin.
Po flasim për Genc Prelvukaj, një ndër reperët më të vjetër në skenën tonë, i cili ndonëse ka shumë këngë hite ka premtuar se edhe gjatë këtij viti do të jetë shumë aktiv. Madje deri në korrik publikut do t’i ofrohen edhe dy këngë nga Etnon.
E ndonëse Genci, është me prejardhje nga Mali i Zi, në repertuarin e tij nuk ka asnjë këngë kushtuar asaj pjese të bukur ku jetojnë shqiptarët. Por, për një këngë që përshkruan bukurinë e asaj ane, ka menduar edhe Genci.
Ai në një bisedë për RTV Dukagjinin ka zbuluar se ka 10 vite që shkruan këngë për atë anë. “Po ju zbuloj një sekret. Ka 10 vjet që shkruar dhe sërish i fshiej tekstet që shkruaj për vendin e prejardhjes sime. Sa herë që shkruaj më duket se nuk kam thënë mjaftueshëm, gjithmonë më duket pak, më duket se nuk arrij me fjalë ta përshkruaj bukurinë dhe dashurinë që ndjej për atë vend”, ka thënë rep artisti, i cili në të ardhmen ka premtuar se do të ketë një këngë të tillë./Telegrafi/.