Telegrafi

Genc Hamiti ylli i javës në BKT Superligën e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Bankën Kombëtare Tregtare, BKT Kosova, vazhdojnë të ndajnë çmimin “YLLI I JAVËS”, për lojtarin më të mirë të xhiros.

“YLLI I JAVËS” për xhiron e 20-të në BKT Superligë është shpallur futbollisti në radhët e KF Drenica, Genc Hamiti.

Mesfushori ofensivë i kuqezinjve ishte lojtari më i mirë i ndeshjes në fitoren që skuadra e tij e realizoi si mysafire në stadiumin “18 Qershori” në Klinë kundër KF Dukagjini, me rezultat 1:2.

Ai asistoi në të dy golat për bashkëlojtarët e tij, derisa ishte mjaft kreativ gjatë tërë ndeshjes, duke qenë më i merituari që Drenica arkëtoi tri pikë të rëndësishme nga ky udhëtim.

Pas kësaj fitoreje FC Drenica stabilizohet në renditjen, pasi aktualisht ndodhet në pozitën e 5-të në BKT Superligë me 27 pikë.

Çmimin “Ylli i javës” për mesfushorin e KF Drenica, Genc Hamiti e ndau Fatmir Tupella, menaxher i degës së BKT-së në Drenas.