Në konferencën rajonale në Shkup me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, përveç organizatave që veprojnë në këtë fushë, morën pjesë edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, institucioneve dhe mediave nga vendi dhe rajoni.
Në fjalimin e tij, Ambasadori i BE në Maqedoninë e Veriut, David Geer, theksoi se verifikuesit e fakteve duhet të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të mos kenë presione politike. Sipas tij, me afrimin e zgjedhjeve, po dalin në sipërfaqe sulmet që po bëhen ndaj verifikuesve të fakteve.
“Për fat të keq kjo nuk ndodh vetëm në Maqedoninë e Veriut, por mund të pritet edhe në disa pjesë të Evropës në muajt e ardhshëm, sepse ky është vit i zgjedhjeve në më shumë vende…Prandaj, është përgjegjësi e jona dhe detyrë e institucioneve shtetërore që të flasim qartë kur rrezikohen verifikuesit e fakteve. Nëse nuk punojmë për këtë, atëherë heqim dorë nga mbrojtja e demokracisë”, tha Geer.
Përveç rreziqeve gjatë zgjedhjeve, në konferencë u diskutuan edhe sfidat tjera e vendeve të rajonit në ballafaqimin me ndikimet e huaja dhe dezinformatat. Folësit konstatuan se dezinformatat janë problem për sigurinë e shteteve, nxisin urrejtje dhe dhunë, dhe e rrënojnë besimin tek institucionet.
Ballafaqimi me dezinformatat duhet të intensifikohet, me forcim të verifikimit të fakteve në media si dhe me edukim mediatik të qytetarëve që do të zmadhojë rezistencën e tyre ndaj dezinformatave.