Site icon Telegrafi

​Geci në Hagë: Komunikata 59 është shkruar nga Thaçi

Fadil Geci, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë ka thënë se ajo që njihet si komunikata 59 është “shkruar nga Hashim Thaçi”.

Këtë të fundit, dëshmitari i prokurorisë e ka quajtur “njëri të rrezikshëm”.

Geci është pyetur nga avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq për deklaratën që kishte dhënë të hënën se ish-presidenti “i kishte puthur dorën në një rast”.

“Është njeri i rrezikshëm [Hashim Thaçi], se kur mendon që është në rrezik tëra i bënë. Edhe burri që ta puth dorën ai katastrofë është për ata, për shokë të vet por edhe për shoqëri është katastrofë me i lënë diçka në dorë, raporton kp.

Mishetiq: Ti e merr si shenjë armiqësie puthjen e dorës, kështu?

Geci: Ka menduar që situata është aq e ashpër qysh kanë bërë vet, unë nuk kisha parë kurrë në jetë, as nuk kam parë as sot asi rasti. Kurrë nuk ka bërë vaki kush me ma puth dorën, femrat me ma puth dorën e kam mërzi.

Mishetiq: Nuk ishte kjo pyetja. Mjaft, mjaft tani. Nuk po i përgjigjesh pyetjes time. Për ty është shenjë armiqësie [puthja e dorës]?

Geci: Shenjë me i ik rrezikut, veç me dalë, ka menduar që është në rrezik e veç të dalë të ec, e kurrë më nuk më është përgjigjur, as kurrë nuk ka kërkuar të takohet me mua, as kurrë më nuk është deklaruar për komunikatën 59-të. Pasojat i kemi vuajtur ne familja jonë dhe shqiptarët kanë thënë që ashtu qenka, deri tash që po e dinë se cila është e vërteta”.

Gjatë pyetjeve të mbrojtjes së ish-presidentit, Geci insistoi se komunikatën 59-të “e ka shkruar Hashim Thaçi”.

“Unë prej ditës të parë, që e ka shkruar [Hashim Thaçi] komunikatën 59-të, e kam ditur dhe i kam shkuar në shtëpi. Dhe i kam thënë ‘ma jep përgjigjen për komunikatën 59-të’ dhe më ka thënë ‘brenda një muaji babai i tij ta jap përgjigjen’. Kurrë s’ma ka dhënë përgjigjen. Pse, tash më pyet ti si avokat të tregoj pse nuk e ka dhënë përgjigjen. Pse nuk e ka dhënë 20 vjet? Unë të tregoj ty pse sa ka dhënë përgjigjen, edhe gjykatës këtu. Nuk e ka dhënë përgjigjen se ka menduar Jasharët i likuiduan, ky njerëzit e vdekur i ka dashur dhe i ka përmendur e jo të gjallët. E ne jemi të gjallët, ka menduar edhe neve të na likuidojë. Por jemi këtu dhe na ka ruajtur Zoti me thënë të vërtetën edhe për ta shkruar të vërtetën, jo rrenën”, deklaroi Geci.

Këtë deklaratë e ka kundërshtuar avokati i Thaçit, i cili i tha se në vitin 2013 familja Geci e kishte “përdorur Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si ndërmjetës për mosmarrëveshje me Azem Sylën”.

Mishetiq: Nuk është e saktë sepse Hashim Thaçi, vëllai juaj Gani Geci e ka përdorur Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si ndërmjetës në vitin 2013 për të ndërmjetësuar për këtë mosmarrëveshje me Azem Sylën, kështu?

Geci: Po e vërtetë që janë takuar, po.

Mishetiq: Po, kështu është. Jo, jo ndalu tani.

Mishetiq: Familja jote e ka përdorur Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si ndërmjetësues në një mosmarrëveshje midis Ganiut dhe Azem Sylës më 2013. Ti i besove atij si ndërmjetësues, ti e pranove që të ishe ndërmjetësues në mosmarrëveshjen që kishit me Azem Sylën. E more në shtëpi.

Geci: Është rregull e shqiptarit kur nuk të pret i zoti i shtëpisë, i zoti i shtëpisë është vëllai i madh Halili, unë jam i dyti Fadili, i treti është Haxhiu, i katërti i pesti i kam besuar të flas me ta. Jo unë, as në shtëpinë time hiç. Kurrë s’kam pranuar, se e kam ditur çfare është, kurrë.

Fadil Geci është dëshmitari i 96-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ai e ka nisur dëshminë e tij të hënën para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023.

Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. /KP/

Exit mobile version