Ish-deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Gani Geci ka folur për vështirësitë që kanë LVV e LDK për formimin e koalicionit.
Geci, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se koalicioni i LDK-së me Vetëvendosjen do të bëhet atëherë kur kjo e fundit ta kuptoj që “Amerika është e dërguara e Zotit”.
Ai ka thënë se problemi nuk është te ndarja 6-4 apo 7-3 e ministrive por janë probleme tjera përfshirë bisedimet me Serbinë, funksionimi i KEK-ut e probleme tjera të ngjashme.
Ish-deputeti thotë se kërkesa e LDK-së tashmë është që ndarja e ministrive të jetë 7-3 deri në zgjidhjen e presidentit, e pastaj do të kalonte 6-4.
Geci thotë se Vetëvendosje ka vepruar njëanshme kur ka zgjedhur Konjufcën në krye të Parlamentit dhe sipas tij ajo duhet të pajtohet e të kthehet mbrapa në formë reflektimi.
“Vetëvendosje duhet të heq dorë nga videot dhe daljet tjera televizive. Unë bile kam propozuar që Mustafa e Kurti të futen në një objekt dhe të mos dalin nga aty pa u arritur marrëveshja”, tha ndër të tjera Gani Geci./Telegrafi/