Site icon Telegrafi

Gecaj, për riformatimin e Qeverisë: PDK nuk e ka sjell listën me emra (Video)

Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, është shprehur i bindur se LDK-ja do të jetë pjesë edhe e Qeverisë së ardhshme.

Ai, në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel, ka deklaruar se fundi i këtij mandati do t’i tregojë sukseset e Qeverisë dhe kjo do të marr besimin e qytetarëve edhe për një mandat tjetër.

Gecaj ka theksuar gjithashtu se është kryeministri Isa Mustafa ai i cili do të jap vulë në reformimin e Qeverisë dhe se ai do të diskutoj për çdo lloj propozimi që vjen nga PDK-ja.

“Ne e dimë se kem pasur disa vende vakante për shkak të zgjedhjes së Hashim Thaçit president i Republikës së Kosovës, por ne presim që ato të plotësohen me emrat të cilat do t’i sjell Partia Demokratike”, ka thënë Gecaj.

Ai ka shprehur bindjen se pasi që PDK të sjell këta emra, kryetari i LDK-së do t’i diskutojë ato, “ngase është kryeministri ai që emëron vartësit e tij, si zëvendëskryeministrin ashtu edhe ministrat”!

Gecaj ka konfirmuar se ka diskutime për emrat e rinj në Qeveri, por ka mohuar se një listë e tillë me emra të ofruar nga PDK-ja të jetë refuzuar nga Isa Mustafa.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Gecaj ka deklaruar se zyrtarët evropianë janë shprehur qartë se pa ratifikim të demarkacionit nuk ka liberalizim të vizave. /GazetaTribuna/ 

Exit mobile version