Bajram Gecaj, këshilltari i kryeministrit në largim, Isa Mustafës, ka thënë se zgjedhjet nuk do t’i zgjidhin problemet e Kosovës.
Ai, në emisionin Info-Box të RTV Dukagjinit, ka thënë se problemi është që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka bërë planet paraprakisht për ta prishur koalicionin.
“Kemi vendosur përmes një marrëveshjeje që mos me i përkrah mocionet e mosbesimit, sepse e dinim që PDK mundet me na futë thikë pas shpine. Marrëveshja ka qenë që të mos përkrahet marrëveshja e tillë”, u shpreh Gecaj.
Sipas tij, tash askush nuk mund të besojë te PDK-ja, madje edhe kur nënshkruan marrëveshje në letër.
“Besoj që ka pasë ndërhyrje edhe nga presidenti i vendit. Ai e ka zgjedhur afatin më të vogël prej 30 ditësh për mbajtjen e zgjedhjeve. PDK-ja ka hyrë në lojërat e opozitës”, ka shtuar Gecaj. /Telegrafi/