Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për Telegrafin tha se nuk do të ketë mure në pjesën veriorë të Mitrovicës.
Ai tha se muri është rrënuar dhe fatmirësisht po mbyllet ky kapitull.
“Duhet ta sqarojmë për opinionin se në atë pjesë më nuk do të ketë mur. Ndërtimi i ri që pritet të bëhet është pjesë e një sheshi. Ndërtimi i ri do të shërbej si të themi, vazo e luleve. Do të ketë një hyrje (hapësirë) prej 9 metrash, në të cilën do të mund të lëvizin qytetarët. Nuk do të ketë ndërtim më të lartë se 70 centimetra në atë pjesë. Muri është rrënuar, tash kemi të bëjmë më një shesh”, ka thënë Gecaj.
Ndryshe, pas një sërë tensionesh dhe deklaratash provokative është rrënuar muri në pjesën veriore të Mitrovicës.
Por, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka theksuar se tash do të ndërtohet struktura e re betonike, e cila sipas tij, do të ketë lartësi prej 70 centimetra dhe një gjerësi prej 120 centimetra. /Telegrafi/