Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj ka reaguar ndaj deklaratës së Marko Gjuriqit, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili duke folur për mos formimin e Asociacionit, ka thënë se “shqiptarët nuk po e mbajnë besën”.
Gjuriq i cili këto deklarata i ka bërë pas deklaratës së kryeministrit Isa Mustafa i cili ka thënë se Asociacioni nuk do të bëhet deri në shpërbërje të strukturave paralele serbe në veri të vendit, sipas Gecajt nuk i njeh mirë shqiptarët.
Postimi i plotë:
Hallit të Gjuriqit ja paska marrë mendja se e ka takatin ta akuzoj Kryeministrin Mustafa se po shpik kushte të reja për formimin e “Asociacionit…” dhe e ka akuzuar atë dhe gjithë politikanët tanë si njerëz që nuk e mbajnë besën.
Së pari kushtet të cilat i rithekson Kryeministri Mustafa janë përcaktuar që me nënshkrimin e marrëveshjeve, dhe janë përforcuar nga mospërmbushja e vazhdueshme dhe krejt e pa justifikueshme e këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë.
Nëse këtë e ka harruar Gjuriqi, jam i sigurt se kujtesën do t’ia rifreskojnë edhe në Bruksel. Tjetra, Gjuriqi e dëshmoj për të satën herë se nuk i njeh shqiptarët, prandaj ia kujtoj atij, dhe të tjerëve si ai, se shqiptarët nuk i japin besë të pabesëve.