Zëvendës kryeministri i Republikës, Branimir Stojanoviq ka reaguar ashpër ndaj vendimit të sotëm nga Isa Mustafa për shkarkimin e Ljubomir Mariqit nga detyra e Ministrisë të Administratës së Pushtetit Lokal.
Stojanoviq ka thënë se ky vendim nuk është bërë në koordinim me Listën Serbe dhe se ky veprim i kryeministrit, sipas tij, është hedhje e benzinës në zjarr nga Mustafa.
Mirëpo, me këto deklarata nuk është pajtuar zv/ministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj. Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka theksuar se kryeministri në kuadër të kompetencave të veta ka ndërmarrë një veprim të ligjshëm të cilin e ka të drejtë kushtetuese të shkarkojë cilin dush ministër.
“Kryeministri Mustafa është shef i gjithë Qeverisë së Republikës së Kosovës andaj në qeveri nuk ka demokraci por ka hierarki. Vendimi i kryeministrit Mustafa është përfundimtar dhe Mariqi është shkarkuar dhe në vend të tij është i emëruar një person tjetër”, ka thënë ai.
Më tej, Gecaj tha se deklarata e sotme e lëshuar nga ekzekutivi sqaron drejtë se vendimi është marrë në bashkëpunim dhe koordinim me Listën Serbe, parti kjo e udhëhequr nga Slavko Simiq.
Ndryshe, vendin e Mariqit pritet ta zë Mirjana Jevtiq, e cila deri më tani ka qenë zëvendësministre e MPMS-së. /Indeksonline/