Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i ka falur personat që e sulmuan javë më parë.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i Muhaxherit, Dukagjin Kerveshi.
Ai tha se kjo u bë me ndërmjetësimin e Xhavit Halitit dhe Vehbi Shalës.
“Me kërkesën e familjareve te sulmuesve dhe me ndërmjetësimin e miqve z. Xhavit Haliti dhe z.Vehbi Shala, sot pas një takimi të kërkuar nga familjaret e sulmuesve, Kryetari i Pejes, z. Gazmend Muhaxheri ka vendosur që t’i fal sulmuesit për sulmin ndaj tij. Drejtësia te beje punën e saj, por kryetari Gazmend Muhaxheri nuk do t’i ndjek te njëjtit penalisht ne procedure penale dhe se heq dore nga kërkesat eventuale pasurore ndaj tyre ne procedure gjyqësore. Duke respektuar miqtë që kanë fasilituar komunikimin, kryetari Muhaxheri ka vendosur si me larte. Andaj, me autorizimin e kryetarit Muhaxheri njoftojmë gjitha palët e interesuara se z Muhaxheri i ka falur te njëjtit”, ka njoftuar Kerveshi.
Derisa deputeti Haliti ka falënderuar kryetarin e Pejës për këtë gjest fisnik.
“Burrat falin! Me ndërmjetësimin tim, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri i fali vëllezërit Lulaj për sulmin ndaj tij para disa ditësh. Ndërkohë, drejtësia do të merrët me rastin. Uroj që sulme të tilla të mos ndodhin më asnjëherë. Gaz, faleminderit!”, ka shkruar Haliti në Facebook.
Ndryshe, në orët e mëngjesit të 26 tetorit është sulmuar fizikisht kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Muhaxheri u sulmua fizikisht deri sa po dilte nga një lokal në Pejë.
Policia në Pejë kishte thënë se kryetari Muhaxheri ka marrë edhe lëndime trupore.
“Sot rreth orës 08:50, në rrugën Bill Klinton, është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lëndime trupore, të dyshuarit janë arrestuar. Me urdhër të Prokurorit te shtetit te dyshuarit ndalohen për 48-ore”, thuhej në raportin e Policisë./Telegrafi/