Ivan Gazidis shpreson që Paolo Maldini dhe Gianluigi Donnarumma të qëndrojnë për një kohë të gjatë dhe shprehet se Milani do të marrë shpejt një vendim mbi Zlatan Ibrahimovic.
Kontrata e Ibrahimovicit skadon në fund të sezonit dhe sulmuesi ka qenë kritik ndaj Gazidis kohëve të fundit, edhe pse kjo ishte para se trajnerit Stefano Pioli t’i jepej një kontratë e re.
“Unë nuk preferoj të flas për lojtar individual, sepse ka situata të ndryshme si ai”, ka thënë fillimisht drejtori i Milanit për Corriere dello Sport.
“Ne nuk kemi shumë kohë në mes të këtij sezoni dhe sezonit të ardhshëm, kështu që do të jetë e nevojshme të mendojmë dhe të marrim një vendim shpejt”.
Ish-drejtori i Arsenalit konfirmoi se po kërkonte që Maldini të qëndronte, me sa duket si drejtor teknik, ndërsa mendimin e njëjtë e ka edhe për Donnarumman.
“Paolo ka edhe dy vjet në kontratën e tij dhe shpresoj se ai do të qëndrojë me ne edhe më gjatë se kaq”.
“Ne kemi nevojë për të ndërtuar skuadrën me përzierjen e duhur të lojtarëve të rinj të talentuar dhe drejtuesit me përvojë”.
“Në aspektin e zemrës dhe ndjenjës, Donnarumma përfaqëson sintezën e përsosur të lojtarëve që duam në klub: ai është i ri, por tashmë me përvojë, ai është i talentuar dhe e do Milanin”.
“Ne do të duhet të merremi me ligjet e tregut të transferimeve, por e dimë se sa e fortë është lidhja e tij me klubin dhe shpresojmë të qëndrojmë së bashku për një kohë të gjatë”, përfundoi Gazidis. /Telegrafi/