Gaziantepspor nuk heq dorë nga Alban Hoxha. Sipas mediave turke, më konkretisht të përditshmes Milliyet, klubi turk vazhdon të këmbëngulë për shërbimet e portierit të Partizanit duke rritur madje deri në 500 mijë euro ofertën e tij për të siguruar shërbimet e gardianit kuqezi.
E përditshmja turke shkruan, se Mustafa Kizil, përgjegjësi për merkaton e klubit ka këmbngulur te drejtuesit që të plotësojnë kërkesën e skuadrës kryeqytetase për të afruar Alban Hoxhën në Superligën turke raporton SuperSport.al
Prej disa kohësh tashmë po flitet për një interesim të Gaziatensporit për shërbimet e 28-vjeçarit dhe tashmë duket se ka dhe lëvizje konkrete nga ana e klubit turk për blerjen e Hoxhës, që këtë vit ka treguar një formë të jashtëzakonshme dhe në përfaqësimin e Partizanit në kompeticionet evropiane ndërsa ishte pjesë dhe e Kombëtares në Evropianin francez.
Oferta që pretendohet nga mediat turke është mjaft e mirë dhe nëse ajo është e vërtetë me shumë mundësi Alban Hoxha do të jetë pjesë e Gaziantepsporit në sezonin e ri, por transferimi i tij mund të kryhet vetëm pas përballjes së play off të Ligës së Evropës me Krasnodarin.