Miwa Sado, një reportere e medias japoneze “NHK”, ndërroi jetë në moshën 31-vjeçare nga puna e tepërt.
Inspektorët kishin arritur në këtë përfundim vetëm pak muaj pasi ajo u nda nga jeta, që në korrik të vitit 2013. Por kompania mediatike ku ajo punonte e publikoi vetëm tani këtë fakt.
Vetëm në një muaj gazetarja kishtë bërë 159 orë shtesë, ndërsa në muajin para se të vdiste kishte pasur vetëm 2 ditë pushim.
Miwa Sado është thjesht viktima e radhës nga “karoshi” që në japoni do të thotë “vdekja nga puna e tepërt”.
Në 18 muaj më shumë se 2 mijë njerëz janë vetëvrarë në Japoni sepse nuk arrinin të mbanin ritmet e profesionit të tyre. Ndërsa të tjerë si gazetarja në fjalë, kanë vdekur nga infarkti, mungesa e frymëmarrjes e patologji të tjera që shkakton stresi.
Qeveria japoneze po punon prej dy vjetësh për të zgjidhur problemin e vdekjeve nga puna e tepërt. Ndër propozimet ishte edhe miratimi i një limiti për orët ekstra në punë, duke gjobitur kompanitë që nuk e respektojnë.