Telegrafi

Gazetarja e NYT: E çuditshme! KE-ja ndëshkon Kosovën edhe pse pjestarë të KFOR-it u plagosën me armë serbe

Valerie Hopkins, gazetare e “New York Times” dhe korrespodente që mbulon Rusinë dhe Ukrainën, ka komentuar masat e paralajmëruara ndaj Kosovës nga Komisioni Evropian.

Hopkins, thotë se është e çuditshme, se si i vihen këto masa Kosovës, ndonëse lëndimet e ushtarëve të KFOR-it erdhën nga armë të prodhuara në Serbi.

“Wow – mes gjithë dramës në Rusi, ia vlen t’i kushtohet vëmendje kësaj. BE-ja sapo e ka ndëshkuar Kosovën për paqëndrueshmërinë në veri të Kosovës – edhe pse trupat e NATO-s të plagosur gjatë trazirave të majit u plagosën nga armët e prodhuara në Serbi që asnjë vend i NATO-s nuk i prodhon”, ka shkruar Hopkins në Twitter.

Më herë pati reaguar edhe deputetja britanike Alicia Kearns.

Kearns tha se diplomacia e BE-së ka dështuar në raport me Kosovën.

Ajo ka shtuar se BE-a nuk po tregon produktivitet për deeskalimin e situatës në veri, dhe kështu po e inkurajon Beogradin për të vazhduar më tej.

Lexo po ashtu Deputeti gjerman: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë gabim, kështu s’ka funksionuar kurrë

Po ashtu edhe deputeti i Bundestagut, Knut Abraham, ka deklaruar se mbyllja e një syri përballë problemit real dhe presioni tek pala më e dobët asnjëherë s’ka funksionuar.

“Masat e shpallura nga Komisioni i BE-së kundër Kosovës janë gabim. Mbyllja e njërit sy ndaj problemit të vërtetë dhe presioni ndaj anës së dobët nuk ka funksionuar kurrë”, ka shkruar Abraham.

Të martën drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, gjatë takimit të ministrave të Bashkimit Evropian, tha se do të ndërmarrë një numër masash kundër Kosovës, të cilat do të komunikohen në këtë javë.

Lexo po ashtu Deputetja britanike i reagon BE-së, pasi pritet të marrë masa kundër Kosovës

Ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment./Telegrafi/