Site icon Telegrafi

Gazetarja amerikane ndalon për ta përqafuar djalin e saj derisa po raportonte për të shtënat në shkollën e tij

Një gazetare amerikane ndaloi për një moment për ta përqafuar djalin e saj në transmetim të drejtpërdrejt derisa po raportonte për të shtënat që kishin ndodhur në shkollën e tij.

Alicia Acuna po raportonte për të shtënat që ndodhën të mërkurën në shkollën “East High School” në Denver të Kolorado-s, transmeton Telegrafi.

Adoleshenti që dyshohet se qëlloi dy administratorë të shkollës së mesme u gjet i vdekur pranë makinës së tij, thanë më vonë autoritetet.

Qindra studentë duhej të futeshin në izolim, derisa mediat raportonin nga jashtë.

Acuna, reportere e Fox News, po raportonte nga vendi i ngjarjes kur pa papritur djalin e saj duke dalë nga shkolla.

“Më vjen shumë keq, më vjen shumë keq”, përsëriti ajo në transmetim, ndërsa djali i saj u afrua.

Më pas ajo e përqafoi shumë djalin e saj dhe i tha se duhet ta kryente transmetimin shumë shpejt, duke e pyetur gjithashtu se a ishte mirë.

Më pas kërkoi falje në kamerë duke thënë se nuk do ta lini edhe ju fëmijën të kalonte pa e përqafuar.

“Ai është mirë. Ai po më njoftonte me atë se çfarë po ndodhte”, vazhdoi ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version